Lajme

EULEX-i dhe Akademia e Drejtësisë bashkë-organizojnë një punëtori mbi aplikimin e masave të diversitetit

28 mars 2023

Më 29 mars, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Akademia e Drejtësisë bashkë-organizuan një punëtori për 22 zyrtarë policorë, prokurorë, gjyqtarë dhe përfaqësues të Shërbimit Sprovues të Kosovës në lidhje me zbatimin e masave të quajtura “masa të diversitetit” për të miturit që bien ndesh me ligjin.

Punëtoria, e zhvilluar me mbështetjen e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, kishte për qëllim fasilitimin e një diskutimi të hapur mbi rëndësinë e masave të diversitetit si mjet esencial për të ndihmuar në parandalimin e fillimit të procedurave gjyqësore kundër të miturve dhe për të ndihmuar në procesin e rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre. Punëtoria u fokusua në identifikimin e kritereve për shqiptimin e masave të diversitetit dhe në dispozitat ligjore që e rregullojnë aplikimin e tyre.

Në bazë të Kodit të Drejtësisë për të Mitur, kurdo që ndonjë masë apo dënim shqiptohet ndaj të personit të mitur, interesi më i mirë i të miturit duhet të mbizotërojë dhe masat e diversitetit – siç janë vijimi i rregullt i shkollës, puna pa pagesë në komunitet, pajtimi me palën e dëmtuar, apo vërejtjet policore – duhet të konsiderohen si opsion i parë.

Megjithatë, gjatë tri viteve të fundit është parë një rënie në aplikimin e tyre, prandaj është ngritur nevoja për adresimin e përbashkët të çështjeve bazë.

Në fjalimin e tij në hapje, Udhëheqësi i Shtyllës së Monitorimit në EULEX, Benny Jensen, tha: “Ne kemi vërejtur një mungesë të praktikës së unifikuar në nivel të prokurorive në Kosovë dhe nevojë për unifikimin e praktikës juridike në këtë segment.” Jensen po ashtu theksoi se EULEX-i prezantoi konkluzionet e tij për aplikimin e masave të diversitetit në raportin e tij të fundit për monitorimin në drejtësi.

Punëtoria u fasilitua nga trajneri i përhershëm i Akademisë së Drejtësisë, Ramadan Gashi, dhe nga Prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shpëtim Peci.

Gjatë prezantimit të kornizës ligjore që rregullon masat e diversitetit, Gashi theksoi: "Sa më shumë që të shqiptohen masat e diverzitetit për të miturin që ka rënë ndesh me ligjin do të ishte në interesim më të mirë të të miturit dhe do të parandalonte zhvillimin e procedurës penale dhe do të ndikonte pozitivisht në risocializimin dhe riintegrimin e të miturit.”

Prokurori Peci prezantoi pengesat dhe sfidat e shumta që pengojnë zbatimin e masave të diversitetit, duke u përqendruar në veçanti në “vërejtjet policore”, një lloj i masës së diversitetit që rrallë aplikohet por që është prezantuar në Kosovë në vitin 2018, kur edhe ka hyrë në fuqi Kodi i ri i Drejtësisë për të Mitur.

“Mungesa e zyrtarëve policorë që janë të specializuar dhe të trajnuar për raste me të mitur, bashkë me mungesën e një databaze me vërejtët policore janë pengesat kryesore për aplikimin e kësaj mase të futur në zbatim kohëve të fundit,” shpjegoi Peci.

Në fund të punëtorisë, të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan për faktin se Zyra e Kryeprokurorit duhet të nxjerrë udhëzime për aplikimin e masave të diversitetit në një mënyrë të unifikuar për fasilitimin e aplikimit më të shpeshtë të masave të diversitetit.

Punëtoria ishte pjesë e një serie të aktiviteteve të planifikuara në kuadër të projektit të EULEX-it “Fuqizimi i kapaciteteve profesionale të prokurorëve dhe bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë në hetime penale”. Si pjesë e këtij projekti, në shkurt Misioni organizoi një tryezë të rrumbullakët  për prokurorë dhe gjyqtarë për harmonizimin e amandamentimeve të Kodit të Procedurës Penale ne Kodin e Drejtësisë për të Mitur, ndërsa në dhjetor 2022, EULEX-i organizoi një trajnim për avokatë për amandamentimet e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.