Lajme

Aplikimi i lirimit me kusht në Kosovë: EULEX-i e publikoi raportin e tij monitorues

18 maj

Më 18 maj, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e prezantoi raportin e tij monitorues për aplikimin e lirimit me kusht në Kosovë. Lirimi me kusht ka të bëjë me lirimin e mbikëqyrur të burgosurve përpara përfundimit të dënimit të tyre të plotë. Ai është i paraparë që t'u ofrojë personave një mundësi për t'u ri-integruar gradualisht në shoqëri në bazë të kushteve të caktuara. Lirimi me kusht është një nga mjetet më efektive dhe konstruktive për parandalimin e përsëritjes së kryerjes së veprave duke u ofruar personave integrimin e planifikuar, të ndihmuar dhe të mbikëqyrur në komunitetet e tyre.
Raporti i EULEX-it “Aplikimi i lirimit me kusht në Kosovë: Gjetjet dhe rekomandimet”, i cili e mbulon periudhën nga marsi 2022 deri në shtator 2022, bazohet në monitorimin e gjashtë institucioneve korrektuese të përzgjedhura me numër të madh të kërkesave vjetore për lirim me kusht, si dhe përfshin gjetje dhe rekomandime specifike për autoritetet e Kosovës mbi aplikimin e lirimit me kusht.
Përkundër përditësimit të kohëve të fundit të legjislacionit të Kosovës dhe faktit që, në përgjithësi, gjyqësori i Kosovës i njeh përfitimet e lirimit me kusht, megjithatë ende mungojnë disa aspekte në lidhje me lirimin me kusht siç rekomandohen në instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Prandaj, kjo masë duhet të promovohet dhe të bëhet e qasshme në praktikë për të gjithë kandidatët e kualifikuar, veçanërisht në rastin e të miturve dhe grave.
Në fjalën e tij hyrëse, Shefi i Misionit EULEX Kosovo, Lars-Gunnar Wigemark, tha se lirimi i personave të kualifikuar që kanë demonstruar gatishmërinë e tyre për ri-integrim, është një mënyrë efektive për ta menaxhuar popullsinë e burgjeve dhe për t’i drejtuar burimet drejt atyre që paraqesin rrezik më të lartë për sigurinë publike.
"Kjo gjithashtu i mundëson të gjithëve që të vendosin një ekuilibër midis ndëshkimit dhe rehabilitimit, duke siguruar që ne i japim përparësi sigurisë publike duke promovuar potencialin për ndryshim", tha Wigemark duke shtuar se: "Duke i përqafuar dhe mbështetur parimet e lirimit me kusht, ne shpresojmë të jemi në gjendje që të kontribuojmë për një sistem drejtësie në Kosovë i cili edhe mund të rehabilitojë, që në fund do të shpie drejt një komuniteti më të sigurt për të gjithë”.

Duke folur për rëndësinë e këtij instrumenti ligjor, Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha: “Drejtësia penale është shtyllë e sistemit të së drejtës. Dënimi me burgim nuk duhet të jetë masa e vetme për sigurinë publike, sidomos kur është fjala për krimet që nuk kanë rrezikshmëri të lartë shoqërore, e të përdoret lirimi me kusht.” Ajo gjithashtu theksoi se “lirimi me kusht nuk është vetëm proces ligjor, por edhe njerëzor apo human”.
“Nëse një person i dënuar ka treguar sjellje të mirë, dhe ka pranuar përgjegjësinë ë tij, atëherë duhet të ekzistojë mundësia për lirimin me kusht”, sqaroi Haxhiu duke e theksuar nevojën për ta pëmirësuar më tej mekanizmin e lirimit me kusht: “Po punojmë në përmirësimin e lirimit me kusht, në përmbushjen e standardeve. Një prej ankesave më të shpeshta e të burgosurve, kanë qenë vendimet e panelit për lirim me kusht, konsiderohet që janë vendime standarde e që shumica refuzohen pa arsyeje”.

Duke i prezantuar gjetjet dhe rekomandimet e raportit, Shefja e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Vahakoski, tha: “Instrumentet ndërkombëtare të drejtave të njeriut e njohin qartë rëndësinë e lirimit me kusht si një mjet efektiv dhe konstruktiv për parandalimin e përsëritjes së kryerjes së veprave dhe promovimin e rikthimit në shoqëri. Legjislacioni i Kosovës e miraton këtë bindje në parim, por kjo nuk shndërrohet pastaj në përdorim të drejtë dhe të duhur të këtij mjeti në praktikë, me mangësi të mëdha në zbatimin e tij, veçanërisht kur bëhet fjalë për të miturit dhe gratë”.
Në veçanti, raporti paraqet rekomandimet e mëposhtme për t’i mbështetur institucionet e Kosovës në mbrojtjen e të drejtave të njeriut të burgosurve dhe promovimin e ri-integrimit të tyre në shoqëri:

  • për t’i përfshirë Rregullat e Pekinit në legjislacionin e Kosovës, të cilat e lejojnë lirimin me kusht të kryerësve të mitur sa më shpejt të jetë e mundur për t’i minimizuar efektet negative të burgosjes dhe rrezikun e recidivizmit.
  • që Paneli i Lirimit me Kusht (PLK) t’i përmbahet Rregullave të Bangkok-ut dhe ta merr parasysh në mënyrë të favorshme çdo përgjegjësi përkujdesjeje për gratë e burgosura, si dhe nevojat e tyre specifike për ri-integrim social.
  • që PLK-ja të jep një arsyetim të qartë në përgjigjen e tyre bazuar në vlerësimin individual të secilit kandidat
  • që vendimet e PLK-së të shkruhen në të njëjtën gjuhë si ajo e kërkesës, në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
  • që të burgosurit duhet të lejohen t’i lexojnë vlerësimet e kërkesave përpara se ato të dërgohen në PLK.

Duke e komentuar raportin, U.D. Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, e falënderoi ekipin monitorues të EULEX-it, i cili është partner strategjik i Shërbimit Korrektues të Kosovës, si dhe për punën shumë profesionale në shqyrtimin e këtyre rasteve, duke thënë se: “Ky raport i monitorimit për neve do të shërbej si udhëzues për të gjitha pikat e dobëta që janë evidentuar”.
Dibrani përmendi një shembull të suksesshëm të rehabilitimit të një të mituri në kontakt me ligjin dhe vuri në dukje rëndësinë dhe efektivitetin e lirimit me kusht për të miturit duke theksuar: “Këto raste, Paneli për Lirim me Kusht mendoj se duhet t’i trajtojë me një kujdes të veçantë. ”

Albert Zogaj, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, theksoi se raporte të tilla, të cilat përfshijnë rekomandime praktike për përmirësimin e çështjeve të caktuara, janë të një rëndësie të madhe duke thënë se: “Misioni EULEX e ka traditën më profesionale të hartimit të raporteve të monitorimit, objektivitetin e lartë, informacionin e nevojshëm dhe besueshmërinë. Prandaj, në këtë kontekst, ky raport koincidon edhe me momente të rëndësishme në vet procesin e Panelit për Lirim me Kusht për shkak të ndryshimeve ligjore që kanë ndodhë në vitin 2022. Ne kemi një panel të ri të lirimit me kusht ku janë vendosë edhe kritere të veçanta profesionale”.
Zogaj po ashtu e theksoi nevojën për bashkëpunim ndërmjet institucioneve përkatëse gjatë aplikimit të masës së lirimit me kusht. “Lirimi me kusht i lidh institucionet mes vete, prandaj bashkëpunimi në këtë drejtim është shumë i nevojshëm”, tha ai, duke shtuar se aktiviteti monitorues i institucioneve të tjera “e bën këtë raport edhe më të plotë duke e paraqitur situatën nga të gjitha këndvështrimet”.

Arsim Tahiri, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Sprovues të Kosovës, e prezantoi rolin e agjencisë së tij në trajtimin e personave të liruar me kusht, duke sqaruar se Shërbimi Sprovues i Kosovës përmes mbikëqyrjes dhe ofrimit të shërbimeve profesionale e mundëson ri-integrimin e sigurt të tyre në komunitet.
“Shërbimi Sprovues gjithë fokusin e punës është duke e përqendruar në rritjen e nivelit të këtij mekanizmi institucional në sistemin e dënimeve, dënimeve alternative dhe mbikëqyrjen e personave të liruar me kusht nga burgu. Njëkohësisht, fokusohemi në ndërgjegjësimin e opinionit të gjerë në lidhje me mundësinë e dënimeve alternative”, tha Tahiri, duke shtuar se: “Nga viti 2006, Shërbimi Sprovues ka filluar mbikëqyrjen e personave të liruar me kusht, dhe deri më tani ka pasur në mbikëqyrje 2689 persona të liruar me kusht nga burgu.”

Ky është raporti i tretë në serinë e raporteve speciale pas atij të titulluar “Vlerësimi i trajtimit të rasteve të dhunimeve nga Sistemi i Drejtësisë në Kosovë” dhe raportit për ndikimin e COVID-19 në sundimin e ligjit në Kosovë.
Raporti i plotë është në dispozicion në: Aplikimi i Lirimit me Kusht në Kosovë: Gjetjet dhe Rekomandimet - Lajmet - EULEX - Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (eulex-kosovo.eu)