Lajme

Aktiviteti tradicional i bamirësisë i EULEX-it për mbështetjen e Kryqit të Kuq të Kosovës

22 dhjetor 2022

Më 22 dhjetor, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark , ia dorëzoi 8560 euro Drejtoreshës së Kryqit të Kuq të Kosovës, Feride Hyseni, të cilat u mblodhën gjatë aktivitetit tradicional për bamirësi të organizuar nga Misioni për mbështetjen e kësaj organizate humanitare në Kosovë.

Më 15 dhjetor, pas dy vite kufizimesh për shkak të pandemisë COVID 19, Misioni pati mundësinë që ta organizonte sërish aktivitetin e tij për bamirësi, ku personeli i EULEX-it që përfaqësonin Austrinë, Bullgarinë, Danimarkën, Finlandën, Gjermaninë, Greqinë, Irlandën, Italinë, Kosovën, Poloninë dhe Rumaninë, përgatitën dhe shërbyen ushqime dhe pije tradicionale për mbi 200 vizitorë që iu bashkuan këtij aktiviteti të veçantë për mbledhjen e fondeve. Përveç kësaj, disa kompani dhe institucione i mbështetën angazhimet e EULEX-it për mbledhjen e fondeve duke ofruar dhurata dhe shërbime, të cilat iu ndanë blerësve fitues të biletave si pjesë e një lotarie.

Një qëndrim ekskluziv për dy netë në Santorinin magjepsës në Greqi u sponsorizua bujarisht nga hoteli Andronis, ndërsa Zyra Ndërlidhëse Helenike në Prishtinë, sponsorizoi me zemërgjerësi tre udhëtime të ndryshme në Selanik, secili prej tyre për dy ose tre netë qëndrimi në Aegeon Hotels Group.
Kontribuesit fatlumë patën mundësinë të fitojnë edhe bileta për operën “La Traviata”, donacion nga kontingjenti italian i EULEX-it.
Dhurata tjera ekskluzive si kupon për spa dhe mëngjes të Krishtlindjes u dhuruan nga Swiss Diamond Hotel dhe Hotel Emerald në Prishtinë. Një surprizë e bukur për fituesit ishin shumë trajtime luksoze për lëkurë dhe shërbime të tjera nga Esthetica, një qendër e njohur dermatologjike në Prishtinë. Stilim dhe trajtime për flokë u ofruan gjithashtu për fituesit fatlumë nga HDC Hair Studio.
Restorantet e bukura të Prishtinës si Ponte Vecchio, Walker's, Baracca , Priview dhe Comandante Marcos ofruan darka dhe dreka për fituesit. Kontribuesit që dëshirojnë të jenë në formë ishin fituesit me fat të anëtarësimeve mujore të sponsorizuara nga Fitbox. E fundit, por jo për nga rëndësia, muzikanti Diar Aliu sponsorizoi me bujari dy leksione kitare për fituesit me fat.

Së bashku për një kauzë të madhe!