Lajme

Trajnimin në forenzikën e TI për Policinë e Kosovës

18 shkurt 2016

Prej 15 deri më 18 shkurt Departamenti i Policisë Ekzekutive i EULEX-it mbajti një punëtori trajnimi në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri. Trajnimi u përqendrua në krijimin e kapaciteteve plotësisht funksionale të forenzikës së TI dhe në rritjen e shkathtësive të teknikëve të vendit të krimit të Policisë së Kosovës (PK) që të merren me dëshmitë elektronike në mënyrë profesionale. Departamenti i Policisë Ekzekutive i EULEX-it bashkëpunoi me Drejtorinë e Forenzikës së PK-së për ta kryer trajnimin e specializuar për specialistët e forenzikës dhe për hetuesit e PK-së. Si shtesë për trajnimin, EULEX-i dhuroi pajisje që të shfrytëzohen në forenzikën e TI.

Forenzika digjitale mund të ofrojë dëshmi lidhur me motivin, perceptimin dhe kronologjinë e ngjarjeve të një krimi të caktuar. Ajo po ashtu mund ta vërtetojë interesimin dhe aktivitetet e kryesve të veprave si edhe lidhjet ndërmjet krimeve të shumëfishta, duke dhënë informata të rëndësishme në shumë hetime penale.

“Ky trajnim është shumë i rëndësishëm për Policinë e Kosovës dhe luftën tonë kundër krimit të organizuar. Duke e pasur parasysh që në ditët e sotme pothuajse çdo gjë është e digjitalizuar, policët duhet të jenë të përgatitur t’i parandalojnë dhe t’i luftojnë krimet më sfiduese. Këtu bën pjesë krimi kibernetik dhe krimet e tjera që përfshijnë aparate digjitale,” sqaron nënkolonel Florie Hajra, Drejtoreshë e Drejtorisë për Hetime Forenzike në Policinë e Kosovës.

Trajnimi është planifikuar për ta sqaruar rëndësinë e dëshmive elektronike në procesin e hetimeve penale. Pjesëmarrësit kishin rast të mësojnë nga ekspertët e forenzikës të EULEX-it dhe të TI të PK-së lidhur me çështjet siç janë identifikimi i dëshmive elektronike në vendin e krimit, ruajtja, mbledhja dhe transportimi i dëshmive elektronike dhe procesi i kontrollimit digjital.  Po ashtu u informuan lidhur me mënyrën e prezantimit në gjykatë të zbulimeve të ekspertëve të TI të forenzikës dhe për mënyrën si përdoren dëshmitë për t’i ndjekur krimet elektronike, por po ashtu edhe për llojet e tjera të krimeve. 

Njësia e Forenzikës së TI të PK-së i ka vetëm dy vjet. Asaj i mungojnë disa pajisje të rëndësishme të forenzikës së TI që nevojiten për të siguruar imazhe të sigurta nga aspekti forenzik, të cilat mund të shfrytëzohen si dëshmi në gjykatë. Për më tepër, njësitë e forenzikës në kuadër të Drejtorive Rajonale të Policisë nuk posedojnë pajisje adekuate dhe ka nevojë të rritet njohuria lidhur me mbledhjen dhe ruajtjen e dëshmive elektronike siç duhet – një aspekt i domosdoshëm për hetimet e krimeve. Meqë me dëshmitë elektronike duhet të merren përmes qasjes nga distanca, kjo paraqet një sfidë tjetër serioze. Megjithatë, përkundër të gjitha këtyre të metave, PK-ja dëshiron të përmirësohet.

“Meqë jemi goxha të ri në këtë fushë, kolegët e EULEX-it gjithmonë na kanë ofruar mbështetje të madhe gjersa jemi marrë me rastet penale. Kur punojmë në hetimet penale, ne i shfrytëzojmë pajisjet e tyre dhe e ndajmë njohurinë profesionale,” thotë nënkolonel Florie Hajra.

Departamenti i Policisë Ekzekutive i EULEX-it e mbështetë PK-në gjatë funksionimit të saj por po ashtu edhe përmes projekteve të vogla me qëllim që ta rrisë kapacitetin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës. “Vlerësimi dhe analizimi i nevojave të kësaj njësie ka filluar gjashtë muaj më parë dhe sot më në fund jemi këtu për ta bërë dorëzimin e pajisjeve të forenzikës së TI të cilat do t’ju ndihmojnë të merrni imazhe të sigurta nga aspekti forenzik. Ne do ta ndajmë njohurinë tonë me juve lidhur me mënyrën e trajtimit të dëshmive elektronike të cilat janë me rëndësi thelbësore në luftimin e krimit të organizuar,” tha Oliver Hoffmann, zëvendësshef i Divizionit Ekzekutiv / Shef i Policisë Ekzekutive. 

Policia Ekzekutive e EULEX-it do ta përcjellë rezultatin dhe ndikimin e trajnimit në mënyrë që ta bëjë planin për punëtori të ngjashme në të ardhmen.