Lajme

Ngritja e vetëdijesimit të Policisë së Kosovës për bashkëpunimin policor ndërkombëtar

26 gusht 2016

Prej muajit prill 2015, Njësia për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar e EULEX-it (NJBPN) i ka ofruar pjesëtarëve të Njësisë së Policisë së Kosovës për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Zbatimin e Ligjit (NJBNZL e PK) një numër të trajnimeve praktike të drejtpërdrejta lidhur me rregullat dhe rregulloret e Interpolit nga perspektiva e punës praktike rutinore. 

Njësia për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar e EULEX-it e ka organizuar një seminar katër ditor për Policinë e Kosovës për bashkëpunimin policor ndërkombëtar. Ky trajnim i specializuar, i mbajtur më 22-25 gusht, u përqendrua në përmirësimin e performancës së Njësisë së Policisë së Kosovës për Koordinimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Zbatimin e Ligjit (NJBNZL e PK) dhe ngritjen e vetëdijesimit të njësive hetimore të specializuara të Policisë së Kosovës (PK). Dy konsulentë të lartë të jashtëm, të specializuar në standardet e Interpol-it dhe EUROPOL-it, e kanë mbajtur këtë seminar trajnues, duke i ndarë përvojat e tyre personale dhe praktikat më të mira evropiane lidhur me bashkëpunimin ndërkombëtar gjatë fazës së hetimeve paraprake të rasteve penale. 

Meqë Policia e Kosovës ende nuk është anëtare e ndonjërës prej organizatave ndërkombëtare për bashkëpunim policor, detyrat e tyre lidhur me bashkëpunimin policor ndërkombëtar lehtësohen nga Zyra Ndërlidhëse e UNMIK-ut për Interpol-in dhe nga Zyra e Bashkimit Evropian e Inteligjencës kundër Kriminalitetit (EUOCI) dhe Njësia për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar (NJBPN) në kuadër të EULEX-it.  Në të ardhmen, pasi të bëhet anëtare e plotë e INTERPOL-it dhe EUROPOL-it, Njësia e Policisë së Kosovës për Koordinimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Zbatimin e Ligjit (NJBNZL e PK) do t’i merr përsipër edhe detyrat e qendrës së kompetencës. 

Si rezultat i këtij seminari trajnues, të gjithë pjesëmarrësit tani janë plotësisht të njoftuar me standardet dhe rregulloret e trupave ndërkombëtare për bashkëpunim policor, si dhe kanë njohuri për kanalet dhe instrumentet e ndryshme që duhet shfrytëzuar kur janë të përfshirë në bashkëpunimin policor ndërkombëtar.

Ky seminar trajnues mblodhi gjithsej dyzet e gjashtë pjesëmarrës nga NJBNZL e PK dhe njësitë hetimore duke e shënuar edhe një bashkëpunim tjetër të suksesshëm ndërmjet këtyre dy organizatave. Po ashtu, ekspertët e jashtëm të EULEX-it e kanë përgatitur një doracak për trupat, standardet, rregullat dhe rregulloret për bashkëpunimin policor ndërkombëtar, të cilat mund të jenë të dobishme për oficerët policor gjatë kryerjes së detyrave të tyre.

Në fund të këtij seminari trajnues katër ditor u organizua ceremonia e ndarjes së certifikatave gjatë të cilës Shefi i Departamentit Ekzekutiv për Hetime Penale, Gabrielle Sbano i falënderoi trajnuesit për kontributin e tyre të vlefshëm, si dhe ua ndau certifikatat të gjithë pjesëmarrësve.