Lajme

Zhvillimi i hetimeve për rastet e dhunës seksuale dhe në baza gjinore

08 dhjetor 2016

Divizioni i EULEX-it për Fuqizim organizoi një punëtori të specializuar për temën e zhvillimit të hetimeve dhe bashkërendimit forenzik në rastet e veprave seksuale dhe në baza gjinore, e cila u mbajtë më 6 dhe 7 dhjetor në Prishtinë.  

Punëtorinë e hapën ushtruesi i detyrës së Udhëheqësit të Divizionit për Fuqizim, Martin Cunningham, dhe Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha. Të dy u përqendruan në rëndësinë e bashkëpunimit mes të gjitha palëve përkatëse në Kosovë, dhe bënë thirrje për qasje gjithëpërfshirëse në trajtimin e rasteve të dhunës seksuale dhe në baza gjinore.

Të pranishëm në punëtori ishin përfaqësues nga Policia e Kosovës, Zyra e Prokurorit të Shtetit, Agjencia e Kosovës për Forenzikë, dhe Instituti për Mjekësinë Forenzike.

Agjencia e Kosovës për Forenzikë, në bashkëpunim me institucionet e tjera të Kosovës nga fusha e sundimit të ligjit, është duke bërë përgatitjen e një strategjie të re për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale dhe në baza gjinore.

Misioni i EULEX-it është i përkushtuar të kontribuojë për përgatitjen e strategjisë dhe për përmbushjen e objektivave që dalin nga ajo strategji, përmes pjesëmarrjes në grupin punues të përbërë edhe nga palë të tjera të interesit, siç është edhe OSBE-ja.

“Ne shpresojmë që kjo punëtori do mundësojë identifikimin e sfidave të mundshme dhe mangësive të proceseve aktuale. Qëllimi ynë është që të përmirësohet shfrytëzimi i mundësive hetimore forenzike dhe, mbi të gjitha, viktimave t’iu ofrohen shërbime më të mira. Pjesë kyçe e këtyre qëllimeve është partneriteti mes agjencive të Kosovës”, shpjegoi Mark Dixon, Këshilltar nga EULEX-i për Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm për Operacione i PK-së, dhe organizator i punëtorisë.

Objektiva kryesore e punëtorisë është që të sigurohet shfrytëzimi efektiv i mundësive hetimore forenzike, në veçanti në fushën e dhunës seksuale dhe në baza gjinore, me rëndësi të veçantë kushtuar rasteve të dhunimeve.

Gjatë kësaj punëtorie pjesëmarrësit nga agjencitë forenzike partnere patën mundësinë që të punojë së bashku në studimin e një numri të rasteve të vërteta, dhe t’i identifikojnë dobësitë aktuale të bashkërendimit dhe bashkëpunimit mes institucioneve, paqartësitë e procedurave dhe mekanizmave dhe mangësitë e tyre në dhënien e udhëzimeve për veprime efektive, si dhe të identifikojnë shfrytëzimin e materialeve forenzike dhe optimizimin e bashkërendimit mes institucioneve.

“Ne besojmë se bashkë me themelimin e një grupi punues, kjo punëtori do të kontribuojë për zbatimin e një marrëveshjeje të nivelit të shërbimeve e cila do të lidhet mes të gjitha agjencive dhe do të përmirësojë bashkëpunimin,” tha Mark Dixon.

Përmes mandatit për mentorim, monitorim dhe këshillim, EULEX-i do të vazhdojë t’i mbështesë homologët vendorë për zhvillimin e qasjes me qendër viktimën në rastet forenzike të dhunimeve.