Lajme

Riintegrimi i të burgosurve - projekt i EULEX-it për mbështetjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës

22 maj 2017

Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për mbështetjen dhe fuqizimin e institucioneve të vendit, ashtu siç parashihet me mandatin që ka, Njësia korrektuese e EULEX-it mbajti një punëtori/trajnim njëjavor për rreth 20 zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës. Projekti kishte për qëllim t’i ndihmojë Shërbimit Korrektues të Kosovës për themelimin e Njësisë për vlerësimin e rrezikut, e cila është e domosdoshme për çdo shërbim korrektues.

Me Qendrën e re të Paraburgimit në Prishtinë, Hajvali, u ngrit nevoja e jashtëzakonshme për themelimin e një qendre të ShKK për vlerësim ku të gjithë të burgosurit e ri do të mund të vlerësohen në detaje, të kategorizohen dhe të vendosen nëpër regjime të përshtatshme me aktivitete dhe programe të përshtatshme të rehabilitimit. Kjo paraqiti nevojën për trajnimin e punonjësve të ShKK për punën në Qendrën e ShKK për vlerësim dhe për kryerjen e vlerësimeve efikase dhe efektive të të gjithë të burgosurve të ri.

Vlerësimi i të burgosurve përfshinë vlerësimin e historive të tyre, të shëndetit fizik dhe mendor, keqpërdorimit të substancave narkotike, identifikimit të nevojave arsimore, shqyrtimit të sigurisë dhe rreziqeve. Hapi përfundimtar përfshinë edhe kategorizimin e të burgosurve.

Duke folur rreth trajnimit, Marko Hokkanen, Shefi i Njësisë Korrektuese të EULEX-it, e theksoi nevojën për ngritjen e aftësive të punonjësve të ShKK për vlerësimin e të gjithë të burgosurve dhe marrjen parasysh të të gjitha rreziqeve të mundshme. Këtu përfshihet edhe përgatitja e programeve të rehabilitimit dhe riintegrimit.

Në komentimin e trajnimit si shumë të vlefshëm për kryerjen e detyrave të tij të përditshme, zyrtari i korrektimit Armir Arifaj tha: “Ky trajnim është shumë esencial. Na mëson se si t’i vlerësojmë të burgosurit. Është posaçërisht i dobishëm kur ne vlerësojmë, për shembull, se a ekziston rrezik nga përsëritja e ndonjë vepre penale të kryer nga të burgosurit”.

Si pjesë e angazhimit të tyre në projekt në të ardhmen, ekspertët nga EULEX-i do t’i ndihmojnë Kosovës për themelimin e qendrës së vlerësimit. EULEX-i do të ofrojë asistencë për hartimin e procedurave, rregulloreve, përshkrimeve të vendeve të punës dhe zhvillimin e mjeteve të nevojshme për vlerësim.

Përveç këtyre, EULEX-i do të facilitojë një vizitë studimore për 10 punonjës të ShKK për të mësuar nga afër prej shteteve të BE-së rreth funksionimit të qendrave të ngjashme të vlerësimit. Kjo do t’iu ndihmojë zyrtarëve për të përfituar përvojë të drejtpërdrejtë nga praktikat më të mira të BE-së.