Fillimi  BreadCrumbTrailer Zyra për Komunikim dhe Media  BreadCrumbTrailerLajme  BreadCrumbTrailerGrupi për Siguri dhe Barazi Gjinore dënon...

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore dënon ashpër abuzimin e supozuar seksual të vajzës së mitur nga komuna e Drenasit dhe u bënë thirrje institucioneve të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit qëtë respektojnë obligimet e tyre ligjore dhe etike

12 shkurt 2019

E martë, 12 shkurt 2019

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGJ) dënon ashpër abuzimin e supozuar seksual të përjetuar nga një e mitur nga komuna e Drenasi, gjendja e vështirë e të cilës supozohet të jetë shfrytëzuar nga individ në pozita besimi dhe autoriteti. GSBGJ-ja i mirëpret masat e menjëhershme të marra kundër të dyshuarve të përfshirë në këtë rast, të cilët supozohet të kenë vepruar në kundërshtim flagrant me obligimet e tyre ligjore, etike dhe standardet profesionale.

Vepra e rëndë penale e dhunës seksuale dhe dhunës në bazë gjinore që supozohet të jetë kryer nga një mësimdhënës, një hetues policie dhe një profesionist shëndetësor vë në pah shkeljen themelore të përgjegjësive dhe obligimeve etike që duhen mbajtur nga personat në pozita besimi dhe autoriteti. Shfrytëzimi i dobësisë së një individi është në kundërshtim të rëndë me konceptet e humanitetit dhe profesionalizmit, ndërsa shfrytëzimi i një fëmije është veçanërisht skandaloz dhe i pa tolerueshëm dhe njëkohësisht përbënë shkelje të rëndë të ligjeve të Kosovës. GSBGJ-ja u bënë thirrje institucioneve që të marrin masat e nevojshme për të shmangur përsëritjen e këtyre shkeljeve të rënda të drejtave të njeriut e sidomos kundrejt personave më të cenueshëm të shoqërisë.

GSBGJ-ja i vlerëson masat e marra nga Inspektorati Policor për arrestimin e të dyshuarve dhe hetimin e akuzave të dhunimit, ndjekjes, frikësimit, shtrëngimit dhe abuzimit të pushtetit të kryera kundër një vajze të mitur, e cila në mënyrë të guximshme ka raportuar veprën para institucioneve për zbatimin e ligjit duke kërkuar ndihmë dhe drejtësi. Poashtu, GSBGJ-ja përgëzon autoritetet lokale për rihapjen e hetimeve dhe ri-suspendimin e mësimdhënësit edhe pas tërheqjes së mëparshme të aktakuzës nga vet viktima në rrethana ende të paditura. Po ashtu, GSBGJ-ja e mirëpret inicimin e hetimeve si dhe masat që do të merren ndaj profesionistit shëndetësor në lidhje me ndërprerjen e shtatzënisë, që supozohet të jetë kryer në mënyrë të paligjshme në një klinik të pa-licencuar.

Abuzimi i dinamikës asimetrike të pushtetit në këtë rast nga ata që janë të thirrur të edukojnë, mbrojnë dhe shërojnë, paraqet elementin kryesor të dhunës me bazë gjinore.

GSBGJ e vlerëson informimin e publikut nga ana e mediave sa i përket seriozitetit të rastit, e që kontribuon në ngritjen e ndërgjegjësimit publik mbi domosdoshmërinë e rritjes së përpjekjeve për luftimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Në këtë aspekt, grupi u bënë thirrje mediave që të respektojnë kodin e etikës dhe të trajtojnë rastet e tilla me profesionalizëm, ndjeshmëri, respekt dhe diskrecion, duke respektuar plotësisht privatësinë e atyre që janë të prekur, si dhe të përmbahen nga zbulimi i drejtpërdrejt apo i tërthortë i identitetit të fëmijëve apo të miturve që mund të jenë viktima të abuzimit.

Numri i rasteve të tjera të abuzimit seksual kundër të miturve të cilat kanë dalur në publik gjatë ditëve të fundit në Gjakovë, Kllokot dhe Pejë përbënë arsye për shqetësim për GSBGJ dhe për shoqërinë.

Ne inkurajojmë çdo individ që përjeton shkelje të drejtave të tyre të adresojnë rastet para autoriteteve kompetente që janë aty për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe tek ofruesit e specializuar të shërbimeve.

Shënim për mediat

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGJ) është grup i përbërë nga shumë palë të interesit, dhe anëtarët e mëposhtëm të GSBGJ e përkrahin këtë deklaratë publike:

Organizatat dhe përfaqësimet ndërkombëtare: UN Women, UNICEF, UNDP, UNFPA, UNDCO, UNHCR, UN-Habitat, UNKT, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/ Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, OSCE, UNMIK

Institucionet e Kosovës: Zyra e Koordinatorit Kombëtar për mbrojtjen kundër dhunës në familje

OSHC: KIPRED, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Kvinna till Kvinna, Kosova  - Women 4 Women, Fondacioni Jahjaga, INJECT.

Kjo deklaratë mbështetet edhe nga: Komuna e Gjakovës, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut

Prapa

Zyra për Komunikim dhe Media