Komunikata për Shtyp

Komunikata për Shtyp

Vënja e kryerësve të dhunës seksuale para drejtësisë: Diskutim në lidhje me nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional më efektiv

06 dhjetor 2021

Më 3 dhjetor, Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) organizoi një punëtori me temë “Dhuna seksuale: provat biologjike dhe rëndësia e tyre në procedurën penale”, e cila mblodhi së bashku përfaqësues të Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Institutit të Mjekësisë Ligjore, prokurorive, gjykatave dhe EULEX-it, për të diskutuar mbi rëndësinë e raportimit në kohë të rasteve të dhunës seksuale nga viktimat dhe nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional në mënyrë që autorët të sillen me shpejtësi përpara drejtësisë.

Nazlie Bala, Këshilltare e Ministres së drejtësisë, tha se ky lloj krimi duhet të jetë në krye të agjendës: “Le të na shërbejë ky takim i sotëm dhe takimet e ardhshme që ky lloj krimi të jetë prioriteti kryesor në agjendat tona dhe në punën e përditshme për të parandaluar dhe ndëshkuar dhunën seksuale dhe për të mbrojtur dhe integruar çdo viktimë të dhunës seksuale. Dhunimi seksual nuk duhet të heshtët. Ai duhet të dënohet. Prandaj, le të ngremë zërin dhe të punojmë së bashku për të adresuar rastet e dhunës seksuale, krimi më i zakonshëm dhe i pandëshkuar në vendin tonë”, tha ajo.

“Institucionet e Kosovës duhet të artikulojnë qartë se dhuna e çfarëdo forme është e papranueshme dhe se do të dënohet sipas ligjeve në fuqi, sepse shumë pak njerëz e besojnë atë”, tha ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së IML-së, Flutra Goga-Bajrami, e cila shtoi se IML është i vetmi institucion i specializuar për ekzaminimin e viktimave të dhunës seksuale.

Patologja forenzike në IML Bergita Curri tha se në vitin 2021 janë raportuar më shumë se 100 raste të dhunës seksuale dhe shtoi: “Kjo shifër tregon përkushtimin e viktimave për të raportuar raste të tilla më shumë se viteve të kaluara. 70% e viktimave janë të mitura dhe kjo tregon se dhuna seksuale po prek fëmijët tanë, gjë që është e papranueshme. Përderisa të kemi shifra të tilla, askush nga ne nuk mund të jetë rehat. Ne, si shtet, si institucione, si prindër, si bashkëqytetarë kemi obligim t’i mbrojmë fëmijët tanë. Këto shifra tregojnë se ne po dështojmë t'i mbrojmë ata.” Curri theksoi se në shumicën e rasteve të dhunës seksuale, dhunuesi është i njohur për viktimën dhe shtoi se dy faktorë janë vendimtarë në dënimin e kryerësit të veprës: rasti duhet të raportohet menjëherë nga viktima dhe ekzaminimi i viktimës duhet të bëhet sa më parë pas kryerjes së veprës penale në mënyrë që provat biologjike të mblidhen me kohë.

Gjykatësi Agron Maxhuni theksoi se provat dhe cilësia e tyre janë vendimtare për rastin gjyqësor. Maxhuni po ashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, veçanërisht në zinxhirin polici-IML prokurori: “Nëse e rrisim efikasitetin e veprimeve mes prokurorisë dhe policisë, por edhe bashkëpunimin me institucionet e specializuara, siç është IML-ja, kjo do të ndikojë në zgjidhjen e rasteve në mënyrën më të drejtë të mundshme”.

Rëndësia e bashkëpunimit të mirë ndërmjet të gjithë ofruesve të shërbimeve për viktimat e dhunës seksuale u theksua edhe nga këshilltarja e EULEX-it për çështje gjinore, Chiara Tagliani: “Ne nuk mund të punojmë vetëm për ndërgjegjësim nëse pastaj viktimat nuk marrin shërbime adekuate. Duhet të punojmë paralelisht për të rritur ndërgjegjësimin e viktimave dhe për të pasur institucione të gatshme për të trajtuar rastet. Për të siguruar bashkërendim ndërmjet ofruesve të shërbimeve dhe trajtim të duhur të rasteve të dhunës seksuale, të gjithë ne duhet të punojmë së bashku për të krijuar një procedurë standarde të operimit në të cilën do të përshkruhen në detaje të gjithë hapat që duhet të ndërmerrë secili institucion.”

Pjesëmarrësit e punëtorisë dolën në përfundim se ekziston nevojë për rritje të bashkëpunimit ndërmjet të gjitha institucioneve në fjalë për identifikimin e kryerësve të krimeve të dhunës seksuale me qëllim vënien e tyre me shpejtësi përpara drejtësisë. Gjithashtu u theksua rëndësia e marrjes dhe ruajtjes së provave biologjike si dhe nevoja për ndërgjegjësimin e viktimave në mbarë Kosovën.

Për këtë qëllim, EULEX-i do të vazhdojë zbatimin e fushatës "Ma thuaj me kohë", së bashku me Institutin e Mjekësisë Ligjore.