Fillimi  BreadCrumbTrailerZyra për Informim  BreadCrumbTrailerLajme  BreadCrumbTrailerIntervista e Shefit të Misionit EULEX, Wigemark,...

Intervista e Shefit të Misionit EULEX, Wigemark, për Kohën Ditore dhe koha.net

13 shkurt

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, dha një intervistë ekskluzive për të përditshmen Koha Ditore dhe portalin koha.net, ku foli për hapat e tij të parë si Shef i EULEX-it, për ndihmën e EULEX-it për institucionet e Kosovës të sundimit të ligjit, si dhe për çështje si korrupsioni, krimet e luftës dhe rinia.

Për faktin se ai është caktuar në pozitën e Shefit të EULEX-it kohëve të fundit, pyetja e parë ishte rreth hapave të tij të parë në këtë pozitë.

“Një prej hapave të mi të parë si shef i ri i EULEX-it do të jetë që të siguroj që EULEX-i të vazhdojë të jetë “i aftë për t’i shërbyer qëllimit”, pra partner i besueshëm, i drejtë dhe i sinqertë për partnerët tanë nga sektori i sundimit të ligjit të Kosovës. Kjo është në veçanti e rëndësishme tani me qeverinë e re qëllimi i theksuar i së cilës është pasja e një sistemi të pavarur, të paanshëm dhe profesional të drejtësisë në Kosovë dhe kthimi i besimit në të.,” tha Wigemark.

Shefi i EULEX-it po ashtu theksoi se Misioni do të vazhdojë të ofrojë ndihmë konkrete, me kohë dhe të dobishme për të gjitha institucionet e Kosovës me të cilat EULEX-i bashkëpunon në mënyrë që ato të marrin përsipër pronësinë e plotë mbi proceset shumë të domosdoshme të reformave dhe të vazhdojnë në rrugëtimin e tyre në drejtimin evropian.
 
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke e pasur parasysh metodologjinë e rishikuar të Komisionit Evropian për zgjerimin, e cila është miratuar javën e kaluar dhe e cila ka për qëllim që procesin e hyrjes në BE ta bënë më kredibil, me drejtim politik më të fuqishëm, më dinamik dhe më të parashikueshëm. Siç mund ta dini tanimë, Komisioni ka theksuar se si të ashtuquajturat parimet themelore, në veçanti sundimi i ligjit, duhet të bëhen edhe më kryesore në procesin e hyrjes në BE,” tha Wigemark, duke shtuar: “Këtu vjen EULEX-i – një Mision i BE-së për sundimin e ligjit të cilit vendet anëtare të BE-së i kanë caktuar detyrën që t’iu ndihmojë autoriteteve të Kosovës për themelimin e institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura të sundimit të ligjit përgjatë rrugës së saj për në BE.”

Rreth çështjes së korrupsionit dhe faktit se Kosova radhitet në vendit e 101-të në Indeksin e Transparency International për perceptimet e korrupsionit për vitin 2019, Wigemark tha. “Korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur dhe çështje shqetësuese.  Lufta kundër korrupsionit është ngadalësuar, në veçanti sa i përket hetimit dhe ndjekjes penale të rasteve të profilit të lartë. Ndërsa vërehet një përmirësim në shpejtësinë e trajtimit të rasteve kundër korrupsionit, kohët e fundit disa raste janë përfunduar me shfajësime për të gjithë.” Sipas Shefit të EULEX-it, “një përparim është regjistruar në fushën e drejtësisë penale. Por, ndikimi i jashtëm në procedurat penale vazhdon të jetë një pengesë serioze. Duhet të bëhet më shumë për ta luftuar në mënyrë efektive korrupsionin që përhapet, përmes avancimit të proceseve të reformave në fushën e drejtësisë penale dhe sundimit të ligjit. EULEX-i e bën monitorimin sistematik të rasteve të përzgjedhura të korrupsionit, si dhe ne e vlerësojmë funksionimin e gjyqësorit të Kosovës në aspektin e përputhshmërisë procedurale, ligjore dhe të drejtave të njeriut.”

I pyetur për gjyqësorin, Wigemark theksoi ndryshimin e mandatit të EULEX-it dhe shtoi: “Në qershor të vitit 2018 autoritetet e Kosovës e morën përsipër përgjegjësinë për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve në të gjitha nivelet. Për herë të parë në Kosovën e pas konfliktit, sistemi vendas i drejtësisë nuk përfshin më gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë. Kjo e dëshmon një nivel të ri të pjekurisë së Kosovës dhe unë këtë e shoh si një arritje të përbashkët të bërë nga EULEX dhe sistemi gjyqësor dhe prokurorial i Kosovës.” Ai më tej theksoi se gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës tani janë duke u marrë me raste që vazhdimisht po bëhen më të ndërlikuara dhe të ndjeshme, çka paraqet sfidë. “Përkundër faktit se është bërë përparim, ndërhyrja e perceptuar politike në gjyqësor, trajtimi i ngadaltë i rasteve të profilit të lartë dhe një tendencë për dënime të buta në rastet e dhunës në baza gjinore po vazhdojnë,” tha Wigemark said, duke shtuar se “EULEX-i është duke e bërë monitorimin e fuqishëm të rasteve të përzgjedhura penale dhe civile, përfshirë rastet e profilit të lartë dhe rastet e trajtuara më parë nga EULEX-i. Ky monitorim është unik deri në atë masë sa që i lejon këtij Misioni të shkojë përtej seancave gjyqësore publike dhe ta shikojë të gjithë zinxhirin e drejtësisë penale - nga hetimet deri te ndjekja penale, monitorimi i gjykimit dhe ekzekutimi i dënimeve.”

Wigemark gjithashtu potencoi se në gjyqësor janë bërë disa zhvillime pozitive: “Këshilli Gjyqësor i Kosovës ndërmori veprime për t’i adresuar disa nga mangësitë e identifikuara nga EULEX-i në kuadër të mandati të tij për monitorimin e rasteve, përfshirë nevojën për ta ulur shkallën e lartë të seancave gjyqësore joproduktive, për t'u mbështetur në mënyrë më sistematike ndaj caktimit me short të gjyqtarëve në trupat gjykues dhe për ta shmangur mbështetjen në trupat gjykuese fikse në Departamentin Special të Gjykatës Themelore të Prishtinës që merren me rastet e PSRK-së. E gjithë kjo është e përshtatshme për një qasje të shtuar në drejtësi dhe për një gjyqësor më të pavarur dhe të paanshëm.”
Ai shtoi se EULEX-i vazhdon të ofrojë mbështetje për Kryetarin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës për zbatimin e marrëveshjes për drejtësinë, e fasilituar nga BE-ja, si dhe mbështetje teknike për zbatimin e marrëveshjeve për lirinë e lëvizjes dhe marrëveshjeve dhe protokoleve teknike për menaxhimin e integruar të kufirit, të fasilituara nga BE-ja.

Duke elaboruar për sundimin e ligjit në Kosovë dhe progresin e bërë nga Policia e Kosovës, Shefi i EULEX-it tha: “Policia e Kosovës ka arritur të bëhet një nga institucionet më të besuara të Kosovës, si dhe njëra nga më të suksesshmet në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Sigurisht, ende ka vend për përmirësime, por është e rëndësishme që ta vazhdojë këtë progres. Falë qindra ekspertëve të bashkë-vendosur që janë dërguar në EULEX nga shërbimet policore të shumë vendeve të BE-së që kanë monitoruar, mentoruar dhe këshilluar kolegët e tyre kosovarë ne kemi kontribuar në profesionalizimin e Policisë së Kosovës.”

Ai theksoi se EULEX-i do të vazhdojë të ofrojë ndihmë për Policinë e Kosovës në forma të ndryshme. “Për shembull, ky Mision do të vazhdojë ta mbështesë Policinë e Kosovës në çështjet e bashkëpunimit policor, duke përfshirë lehtësimin e shkëmbimit të informacioneve me INTERPOL-in (përmes kanalit të UNMIK) dhe EUROPOL-it, si dhe ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe Policisë së Kosovës në përputhje me Protokollin për bashkëpunimin policor midis këtyre dy subjekteve. Pas integrimit të suksesshëm të policisë në veri, një prani e kufizuar policore e EULEX-it do të vazhdojë ta këshillojë Drejtorinë e Regjionit në Veri të Policisë së Kosovës dhe katër stacionet policore nën komandën e saj.”

Shefi i EULEX-it po ashtu tha se Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it duhet të vazhdojë t’i ketë kapacitetet e saj si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë dhe të zhvillojë sesione trajnuese me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, duke përfshirë edhe përmirësimin e kapaciteteve të Policisë së Kosovës për kontrollin e turmave dhe të trazirave. Wigemark po ashtu tha se pas dorëzimit me sukses të të gjitha dosjeve policore te Policia e Kosovës, Policia e EULEX-it kryen një monitorim të fuqishëm të lëndëve të policisë, në veçanti të atyre për krimet sipas të drejtës ndërkombëtare, dhunën në baza gjinore dhe krimet e urrejtjes. “Për më tepër, ata ofrojnë rekomandime për adresimin e këtyre çështjeve në kuadër të një mandati unik të EULEX-it për monitorimin e rasteve, i cili e përcjell tërë zinxhirin e drejtësisë penale,” theksoi ai.

Sa i përket Shërbimit Korrektues, Shefi i EULEX-it tha se është bërë përparim në administrimin e burgjeve, operacioneve dhe menaxhimin e sigurisë, trajtimin adekuat të burgosurve me rrezikshmëri të lartë dhe të profilit të lartë, si dhe shoqërimin e të burgosurve dhe sigurinë në gjykata. “Proceset e rekrutimit në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës kanë shënuar përmirësim. Por, nevojitet më shumë ndihmë për zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm të rehabilitimit të burgosurve dhe për garantimin e qasjes së barabartë për të gjithë të burgosurit në përfitime dhe trajtim mjekësor. EULEX-i do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet e Shërbimit Korrektues të Kosovës për të zhvilluar praktika moderne të menaxhimit dhe përforcimin e aftësive të tij për ta luftuar ndërhyrjen e padrejtë dhe trajtimin preferencial të burgosurve,” sqaroi ai.
Një fushë tjetër e sundimit të ligjit ku EULEX-i do të vazhdojë të ofrojë ndihmë është Instituti i Mjekësisë Ligjore. “Ekspertët e EULEX-it vazhdojnë të punojnë së bashku me kolegët tanë vendas për ta përcaktuar fatin e personave të zhdukur duke ofruar ekspertizë dhe këshilla për identifikimin e varreve masive të mundshme dhe për zhvarrosjen dhe identifikimin e viktimave nga konflikti i Kosovës.”

Wigemark theksoi se EULEX-i vazhdon ta menaxhojë programin e vet të mbetur për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe e ndihmon Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara me mbështetje logjistike dhe operacionale në përputhje me legjislacionin përkatës të Kosovës.

I pyetur rreth krimeve të luftës në Kosovë, Wigemark tha se “drejtësia duhet të ndahet dhe kushdo që ka kryer krime lufte duhet të jep llogari përmes proceseve të rregullta gjyqësore.”

“Në bazë të dhënave statistikore të Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë, një organizatë e pavarur që e mbështet zbatimin e një drejtësie gjithëpërfshirëse tranzicionale, ku përfshihet puna e UNMIK-ut, EULEX-it dhe gjyqësorit vendas për periudhën nga muaji tetor 1999 deri në tetor 2018, nga 39 të pandehurit e dënuar për krime të luftës në Kosovë 38 u dënuan nga EULEX-i. Gjatë së njëjtës periudhë, nga 48 aktakuza për krime lufte, 22 u ngritën nga EULEX-i përfshirë dy të paraqitura nga ekipe të përziera me prokurorë të EULEX-it dhe vendas. Siç jeni në dijeni, EULEX-i nuk ka mundur të procedojë me raste për krime lufte që pretendohej se ishin kryer nga persona që ndodheshin në arrati, pasi ligji i Kosovës nuk e lejonte atëherë as nuk e lejon tani aktakuzën në mungesë. Këto dosje të rasteve, së bashku me të gjitha dosjet e rasteve të policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit u janë dorëzuar autoriteteve të Kosovës në dhjetor 2018. Siç mund ta dini, ndryshimet legjislative janë në pritje në Kuvendin e Kosovës për t’i lejuar gjykimet e krimeve të luftës në mungesë. Shpresoj që këto ndryshime, nëse miratohen, do t’i marrin parasysh standardet e aplikueshme të drejtave të njeriut dhe në mënyrë të rëndësishme zbatimin efektiv të tyre.”

Duke folur për situatën aktuale, Wigemark tha se progresi në fushën e hetimeve dhe gjykimeve të krimeve të luftës ka qenë i kufizuar. Megjithatë, ai theksoi se “prokuroria dhe policia e Kosovës janë duke punuar në disa raste me përparësi të lartë, ndërsa Policia e Kosovës ka bërë përparim të rëndësishëm duke i përfshirë të gjitha dosjet e rasteve të transferuara të policisë për krime lufte të pranuara nga EULEX-i në një bazë të avancuar të dhënash, e cila do t’i lehtësojë hetimet në të ardhmen. Kjo bazë e të dhënave u krijua me mbështetjen e EULEX-it. Gjithashtu, në kuadër të PSRK-së është krijuar një departament i specializuar për krimet e luftës. Kohëve të fundit, është shënuar një rritje në numrin e aktakuzave të ngritura, si dhe seancat dëgjimore janë mbajtur në disa raste të krimeve të luftës, gjë që është pozitive. Për më tepër, së fundmi është shqiptuar një aktgjykim dënues në një rast të krimeve të luftës. Sidoqoftë, ekziston nevoja për një bashkëpunim më të madh rajonal për hetimet e krimeve të luftës, përfshirë ndërmjet autoriteteve përkatëse në Beograd dhe Prishtinë.”

Pyetja e fundit për Wigemark, por jo për nga rëndësia, ishte rreth të rinjve në Kosovë: “Gjatë dy javëve të mia të para në Kosovë, unë jam befasuar nga energjia dhe gjallëria e njerëzve tuaj. Ata janë e ardhmja dhe për ta shmangur ikjen e trurit, institucionet e Kosovës duhet të krijojnë një mjedis që i mundëson të rinjve pjesëmarrje në procesin e vendimmarrjes, që e siguron përfshirjen dhe përfaqësimin e të rinjve në institucione në bazë të meritokracisë, duhet t’i adresojnë nevojat e të rinjve dhe t'u përgjigjen kërkesave të tyre, ta fuqizojnë avokimin për të rinjtë dhe të jenë të hapura për ndryshime. Drejtuesit dhe institucionet në Kosovë duhet ta frymëzojnë vizionin dhe ta krijojnë një perspektivë pozitive për të rinjtë. S’do mend të thuhet se të gjitha fushat e qeverisjes demokratike, përfshirë sundimin e ligjit, mbështeten në përfshirjen e të gjithë pjesëtarëve të një shoqërie, veçanërisht të rinisë.”
 

Prapa

Zyra për Informim