Lajme

Nuk ekziston një sekret për të gjitha situatat - Prokurori Engel i EULEX-it i frymëzon studentët e Universitetit të Pejës

13 qershor 2017

Pejë, 8 qershor 2017 – Studentët e Programit të Klinikës Ligjore “Demand for Justice” (D4J) në Universitetin e Pejës e patën një mundësi të shkëlqyeshme për të mësuar nga përvoja e gjerë ndërkombëtare e prokurorit të EULEX-it Drew Engel (SHBA).

Në ligjëratën e tij “Sekreti për një shqyrtim të suksesshëm” Engel foli për mënyrat se si duhet ndihmuar klientët e ardhshëm, për hapat që duhet ndjekur për pyetjet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta për dëshmitarët, si dhe për shfrytëzimin efektiv të drejtës për t’i “kundërshtuar” pyetjet e prokurorisë.

Gjithashtu, Engel ofroi këshilla lidhur me ato që “mund” dhe “s’mund” të bëhen për mbrojtjen e të drejtave të klientëve, si dhe këshilla për mënyrën se si të tejkalohen sfidat e tjera që janë të veçanta për profesionin e një juristi. Nga kjo ligjëratë, studentët e kësaj “klinike” e morën një mësim të rëndësishëm nga Engel. Ai i inkurajoi pjesëmarrësit që të gjejnë atë që funksionon më së miri për ta dhe theksoi se nuk ekziston një “Sekret(e)” që u përshtaten të gjitha situatave gjatë përfaqësimit të klientëve në gjykatë. Engel në fund i motivoi studentët që të jenë të përgatitur mirë dhe të dëshmojnë vetëbesim në gjykatore.

Kjo ishte ligjërata e tretë e prokurorit Engel në kuadër të Programit D4J, duke e fuqizuar bashkëpunimin ndërmjet D4J dhe Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) në Kosovë. D4J e vlerëson bashkëpunimin me EULEX-in në angazhimet e tij për ta krijuar një klinikë edukative pa pagesë për të gjitha fakultetet e juridikut në Kosovë të udhëhequr nga Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK).

Klinika e Drejtpërdrejtë për të Drejtën Penale në Universitetn e Pejës mbështetet nga Programi D4J. Ajo u ofron studentëve të Fakultetit Juridik mundësi për t’u ndihmuar avokatëve të OAK në përfaqësimin pa pagesë të pandehurve penalë të varfër. Kjo klinikë u shërben 16 studentëve, ku secili prej tyre gjatë vitit të katërt të studimeve të tyre apo në programin për Master, e ka mundësinë që t’i aplikojë njohuritë akademike të tyre në praktikë duke punuar drejtpërsëdrejti në raste ligjore duke u mentoruar nga ndonjë avokat i OAK-së.

Programi “Demand for Justice” synon ta fuqizojë kërkesën e qytetarëve për drejtësi në Kosovë. Ky program zbatohet nga NCSC dhe mbështetet nga Departamenti i Shtetit/Zyra kundër Narkotikëve dhe për Zbatimin e Ligjit në nivel Ndërkombëtar (INL) e SHBA-ve.